Ditët e vikendit janë mjaft të çmuara për
Zanfina Ismailin, ajo zakonisht pëlqen që këto ditë t’i kalojë në
shtëpi, por këtë e bën kur nuk ka ndonjë obligim muzikor.
Ndonjëherë preferon që të shëtisë nëpër vende të ndryshme, ndonëse më
shumë e tërheqin vendet që nuk i ka vizituar më parë për të cilat ka
dëgjuar se janë të bukura. Ushqimi që e shijon më së shumti janë
shpagetat dhe makaronat, ku thuajse në çdo mbrëmje nuk mungojnë në
tryezën e saj të bukës.
Më shumë rreth kalimit të ditëve të vikendit dhe çdo gjë tjetër flet ajo për "Zëri”-n.
Çfarë të zgjon në mëngjes dhe të bën të dalësh nga shtrati?
Zakonisht zgjohem vetë kur të më dalë gjumi, jo sepse e lë orën
të kurdisur apo ndonjë gjë. Më së shpeshti kam arsye të zgjohem kur më
presin obligime që duhet patjetër t’i kryej dhe në ato raste zakonisht
zgjohem më herët.
Si e kaloni një ditë vikendi?
Kur nuk jam duke kënduar diku gjatë vikendit, atëherë qëndroj në shtëpi apo ndoshta edhe shkoj diku për të shëtitur.
Cilat vende preferoni t’i vizitoni më shumë?
Më shumë preferoj t’i vizitoj vendet në të cilat s'kam qenë më
herët. Ato janë më interesante për mua dhe kur e di se janë të bukura
për t'u parë.
Jeni tip i aventurave për fundjavë?
Jo, nuk jam dhe nuk kam qenë ndonjëherë.
Na thoni një moment të lumtur?
Momente të lumtura ka shumë, por më së shpeshti janë ato kur nuk i presim e që ndodhin dhe nuk harrohen.
Cila është pjata juaj e preferuar në këto ditë?
Shpagetat dhe makaronat i preferoj shumë dhe thuajse çdo natë në
darkë ha makarona. Kjo është meny që nuk e kam ndërruar tash e sa vite.
Gatuani?
Nuk gatuaj, mirëpo janë disa lloje ushqimesh që di t’i përgatis
dhe zakonisht janë ato që unë i pëlqej më së shumti. Të gjitha i kam
mësuar nga nëna e cila përgatit aq mirë sa që kur bie në peshë me
gjellët e saj i shtoj kilogramët shumë shpejt.
I kushtoni rëndësi ushqimit, jeni e kënaqur me peshën trupore tani?
Jo, nuk jam shumë e kujdesshme, sepse duke marrë parasysh që ha
edhe fast -food shumë, atëherë vërehet që nuk kujdesem edhe aq. Ndërsa
me peshë jam e kënaqur dhe asnjëherë nuk më ka ndodhur të mbaj dietë për
të humbur kilogramët.
Çfarë nuk mungon kurrë në gardërobën tënde?
Trendët e fundit i përcjell shumë dhe gjithmonë jam e gatshme të
bëj shoping, edhe pse e di që kjo i bën dëm kuletës time (qesh). Mund të
them se ajo që nuk mungon asnjëherë në gardërobën time janë setrat e
gjatësive dhe ngjyrave të ndryshme.
Çfarë veture vozitni?
Vozis "Freelander 2”, xhip i zi dhe jam shumë e kënaqur me të.
Merrni dënime të shpeshta në komunikacion?
Kohëve të fundit jam duke u gjobitur shumë dhe gjithmonë është
arsyeja e njëjtë, hyj në radar duke kaluar shpejtësinë më shumë se që
lejohet.
Si e përfundoni një ditë vikendi?
Zakonisht jam në shtëpi duke shikuar filma apo diçka të ngjashme./Showbiz