Nuk shkëlqejnë kot aq shumë VIP-ët tanë, sepse
kanë gjenetikën më "të zgjedhur” apo sikur nuk iu bie mbi fytyrë pluhuri
i madh i Kosovës. Një pjesë e madhe e VIP-ëve tanë të ekranit dinë t’ia
bëjnë "hyzmetin” vetes, duke shkuar rregullisht në qendrat estetike.
Te poliklinika "Zatriqi” tregojnë se kanë klientë të shumtë pikërisht
tani në këtë kohë të cilët trajtohen me botoks kundër rrudhave. Andaj,
me përdorimin e rregullt të këtij produkti do të tregojnë gjithmonë 10
vjet më të rinj, tregon Violeta Zatriqi kirurge plastike estetike.
Botoks (toksina e botulinumit), prodhohet nga bakteria Clostridium
botulinum. Botoksi, duke bllokuar lëshimin e molekulave që bëjnë të
mundur komunikimin ndërmjet qelizave nervore, bllokon gjithashtu
komunikimin e organeve përkatëse me këto qeliza.
"Në kirurgjinë plastike botoks përdoret me qëllim që të zvogëlojë
rrudhat e krijuara nga muskujt e mimikës në sipërfaqen e fytyrës si dhe
të zvogëlojë djersitjen e disa pjesëve të trupit kryesisht të
nënsqetullave”, thotë Violeta.
Sipas kirurges, duke përdorur botoks zvogëlohet lëvizja në muskujt e
mimikës, e cila bën të mundur që lëkura që vesh këto muskuj të mos
tendoset si zakonisht. Vizat e krijuara nga lëvizja e muskujve si dhe
nga palosja e tyre zhduken.
Violeta pohon se moshat të cilat mund të përdorin botoks janë prej 30
deri në 55-vjeç, ndërsa pas moshës 55-vjeç nuk ka mundësi ngase nuk ka
efekt.
"Çmimi për një përdorim të botoksit kushton prej 300 deri 500 euro,
ndërsa për femrat nëse rrudhat janë të vështira apo për ata që duan të
mos u duket asnjë vijë sado e lehtë në mimikë, kostoja mund të shkojë
edhe më tepër se 500 euro. Mbushjet e rrudhave duhen bërë sistematikisht
çdo 6 muaj”, thekson ajo.
Botoksi injektohet dhe është një procedurë që nuk ka nevojë për
anestezi, por vetëm me anë të injektimit. Për zvogëlimin e lëvizjeve të
muskujve injektohet brenda muskujve, kurse për zvogëlimin e djersitjes
brenda në lëkurë. Efekti i botoksit fillon brenda javës dhe efektiviteti
i tij vazhdon nga 3-9 muaj mesatarisht 6 muaj.
"Përveç gjinisë femërore të cilat në masë të madhe përdorin botoks,
kohëve të fundit janë shtuar shumë gjinia mashkullore. Por megjithëkëtë
shumë njerëz të tjerë të ekranit, gjithmonë me xhepin plot, biznesmenë,
politikanë, artistë, përgjithësisht mbahen anonimë. Asnjëri nga
personalitetet tona publike qoftë të skenës së artit apo politikës nuk
pranon se ka bërë ndonjë ndërhyrje kirurgjike në trupin e tyre. Ndërsa
përkundër saj pjesa dërrmuese e tyre përdorin në masë të madhe botoksin
në fytyrën, qafën dhe sqetullat e tyre”, përfundon Violeta./Showbiz