Këngëtarja Aurela Gaçe me anë të një konference për shtyp të mbajtur
sot në kinemanë ABC promovoi këngën fituese të festivalit të 49-të që
organizoi RTVSH-ja, me të cilën do ta përfaqësojë Shqipërinë në
festivalin "Eurovision 2011”.
Ardhjen e Aurelës në Kosovë e mundësoi Radiotelevizioni Publik i
Kosovës, i cili njëherësh do të transmetojë drejtpërdrejt festivalin
Eurovision që këtë vit mbahet në Dyzeldorf. Në konferencë, përveç
Aurelës, ishin prezentë edhe Martin Lekaj, drejtor i RTVSH-së dhe Bekim
Hasani nga RTK-ja.
"Jemi të kënaqur që këtë vit Shqipëria do të prezantohet me një këngë
mjaft domethënëse, e cila shpresojmë se do të arrijë suksese” është
shprehur z. Lekaj. Kënga "Fel the Passion” sipas disa sondazheve deri
tani është e radhitur në vendin e 4-t, për të cilin fakt Aurela ndjehet e
lumtur.
"Kënga është e realizuar nga Shpëtim Saraçi, Sokol Marsi dhe Aldo
Shllaku, një këngë me shumë kuptim, e cila besoj se do të më sjellë
shumë fat” është shprehur Aurela. Tani kjo këngë do të promovohet edhe
në disa vende evropiane.