Si asnjëherë më parë, me një stil joshës, me një
veshje të veçantë, do të na paraqitet Aurela në festivalin "Eurosong”
që do të mbahet në muajin maj të këtij viti. Kënga "Feel the passion”,
sipas Aurelës, është e përgatitur me mjaft mjeshtri nga Shpëtim Saraqi
dhe Sokol Marsi.
Dëshirë e saj tani për tani është që ta përfaqësojë Shqipërinë sa më
mirë në festivalin evropian. Rreth këngës, përgatitjeve të tjera, por
edhe nga jeta e saj jashtë këngës rrëfen Aurela për "Zërin”.
Jeni fituese e festivalit të 49-të të RTVSH-së, me anë të së
cilës keni fituar të drejtën ta përfaqësoni Shqipërinë në "Eurosong”, si
ndjeheni?
Aurela: Jam shumë e lumtur për këtë fakt, i cili për mua është
mjaft domethënës. Padyshim se jam e përfshirë nga emocione mjaft të
bukura shpirtërore, sepse do të përfaqësoj vendin tim dhe tërë
shqiptarët kudo që janë me "Këngën time”, e cila është edhe në versionin
anglisht "Feel the Passion”.
Më është dashur rreth 5 muaj kohë për të përgatitur këngën dhe çdo
gjë tjetër për paraqitjen time në "Eurosong”, dhe jam shumë e kënaqur me
punën e Shpëtim Saraqit dhe Sokol Marsit me të cilët kemi përgatitur
një këngë mjaft të mirë. Kënga trajton bashkimin kombëtar dhe urën
lidhëse në mes vendeve fqinje me anë të së cilës mund të krijohen
fqinjësi të mira.
Kënga ka edhe klipin, pak fjalë për të?
Aurela: Videoklipi është i përputhur me këngën, kemi xhiruar
në disa vende të Shqipërisë, në urën e mesit në Shkodër, nëpërmjet së
cilës lidhen vendet. Pra ura është simbol i lidhjes mes vendeve dhe
shteteve. Klipin e kemi përgatitur me TVSH-në, është përkujdesur
Ministria e Komunikimit Regjional, kemi punuar 2 javë dhe përveç
kënaqësive që na ka sjellë klipi, kemi pasur edhe mjaft vështirësi. Koha
ka qenë e ftohtë, kam pasur një fustan të hollë me tyl, mirëpo përveç
saj është dashur të presim edhe daljen e diellit në mënyrë që incizimet
të bëhen sa më të mira.
Me çfarë tjëtër jeni e angazhuar?
Aurela: Këto ditë kam qenë tërësisht e përkushtuar rreth
paraqitjes në "Eurosong”, mirëpo posa ta përfundoj këtë kam në plan të
lansoj këngën "Kesh” në bashkëpunim me Mc Kreshën. Videoklipin e kësaj
kënge e kam punuar me produksionin kosovar "Pulla”.
Si e kaloni kohën e lirë?
Aurela: Më pëlqen jeta e natës, dalë me shoqëri nëpër vende të
ndryshme. E dua diellin. Kohën e lirë në stinën e verës e kaloj në
plazh, më pëlqen të qëndroj shumë në diell të piqem në të (qesh). Më
pëlqen të merrem me artet marciale, merrem me sport, vrapoj, notoj etj,
sporti më relakson shumë.
Një mesazh për lexuesit e gazetës?
Aurela: Jetojeni jetën ashtu siç ju vjen, sepse jeta është e
shkurtër. Adhuruesve të mi kosovarë ju them që merrni telefonat dhe mos
ngurroni të më votoni në "Eurosong”.
Kastriote Bajrami /Showbiz