Ëndrra e secilit aktor-aktore, pa përjashtim
është të ketë sukses në oazën e industrisë filmike - Hollywood. Shumicës
distanca, për arritjen në anën tjetër të Oqeanit Atlantik, i është e
pakapërcyeshme, por disa diva filmike kanë arritur të kenë statusin e
yllit si në kontinentin e ri ashtu edhe atë të vjetër. Ua rikujtojmë
disa nga aktoret evropiane, të cilat Hollywood-in "e lanë pa frymë”.
Sophia Loren
E para në këtë listë e mban titullin e njërës nga aktoret më të
bukura në historinë e filmit, ndërsa shumica e konsiderojnë atraktive
edhe pse tashmë ka hyrë në dekadën e shtatë të jetës së saj.
Isabella Rossellini
Bija e dyshes së njohur filmike Rossellini-Bergman në botën e të
famshmëve hyri si modele. Ka qenë "muza” e shumë fotografëve si Richard
Avedon-it, Helmut Newton-it, Peter Lindbergh-ut etj, ndërsa në vitet ’80
të shekullit të kaluar fotografitë e saj zbukuruan shumë ballina të
revistave të modës.
Penelope Cruz
Shumë pak njerëz në këtë planet nuk di për emrin e aktores spanjolle,
por rruga e suksesit të saj nuk ka qenë e zakonshme. Është rritur në
lagjen e punëtorëve në Madrid, dhe si fëmijë merrej me vallëzim.
Dashuria e saj ndaj filmit rritej me kalimin e viteve dhe mundohej me
tërë forcat që të fitonte ndonjë rol filmik.
Marion Cotillard
Parisienia e bukur, siç e quajnë shumica, famën botërore e arriti
brenda natës. Dhe atë vetëm me një rol. E dimë që bëhet fjalë për filmin
francez "La vie en rose” në të cilën Marion me paraqitjen perfekte e
interpretoi ikonën e skenës muzikore franceze, Edith Piaf-in.